Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Procesit të Berlinit, përkundër insistimit të Serbisë, flamuri i Republikës së Kosovës qëndroi si “mirëseardhje” për ministrin e ri serb, i cili duhet të mësohet dhe adaptohet me simbolet e shtetit të Kosovës, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës.
Në këtë takim virtual, Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalimin e saj, qysh në fillim ua bëri me dije homologëve se Serbia nuk mundet dhe nuk duhet lejuar që të sabotojë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në rajon.
“Duke falënderuar bashkëkryesuesit nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore për organizimin e Samitit të Sofjes, Ministrja Haradinaj-Stublla theksoi nevojën e diskutimit të sinqertë të sfidave reale që pengojnë rajonin në integrimin përmbajtësor drejt strukturave evropiane, dhe ato që pengojnë raportet dhe trajtimin simetrik të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.