Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben-Meir thotë se Bashkimi Evropian është i pakënaqur me mënyrën se si kryeministri Albin Kurti po e trajton dialogun. Ai deklaron se qëndrimi i shefit të ekzekutivit “ka bërë zero progres dhe e ka armiqësuar BE-në”. Sipas tij, Kosova pas procesit zgjedhor duhet të rimendojë pozicionin e saj në këtë proces.
Profesori i Universitetit të Nju Jorkut në intervistën për KosovaPress, flet edhe për Asociacionin, për çka mes tjerash konsideron se Kosova e ka detyrim të fillojë me hapat drejt themelimit.
Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir thotë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka prodhuar rezultat, megjithatë e sheh të domosdoshme rikthimin në tavolinë të bisedimeve.
“Edhe pse dialogu nuk ka dhënë asnjë rezultat, mos dialogimi është padyshim një rrugë pa krye. Pra, pavarësisht dialogut, konkretisht pas zgjedhjeve të shkurtit mund të ecë përpara sepse mendoj se Kurti ka nxjerrë një sërë mësimesh gjatë katër viteve të fundit, se ky lloj qëndrimi ka bërë thjesht zero progres dhe e ka armiqësuar BE-në në vend që t’i afrohet BE-së. Dua të them, imagjinoni se BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë, sepse BE-ja është shumë e pakënaqur me Kurtin dhe mënyrën se si ai po i trajton këto negociata, këtë dialog. Pra, dialogu duhet të rifillojë, por para se të rifillojë, vetë qeveria, vetë Kosova pas zgjedhjeve, sepse nuk pres që të ndodhë asgjë nga tani deri në shkurt, duhet të rimendojë pozicionin e saj nëse dëshiron të shkojë më shpejt në integrimin me BE-në, duhet të bëjë një lëvizje për të demonstruar se është e gatshme të negociojë në mënyrë specifike në një fushë që duhet ta bëjë në një mënyrë ose në tjetrën. Por sigurisht që kjo në vetvete nuk do të mjaftojë që Kosova të bëhet anëtare e BE-së, sepse ka çështje të tjera që Kosova duhet t’i përmbushë”, deklaron Ben-Meir.
Ben-Meir që është profesor pranë Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, thekson se Kurti duhet të punojë edhe me pesë vendet mos-njohëse të bllokut për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në intervistën për KosovaPress, profesori amerikan teksa flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër njohjes së Kosovës.
Ben-Meir, i cili një pjesë të karrierës së tij e ka kaluar duke u marrë me konfliktin izrealito-palestinez, konsideron se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova duhet të zgjidh çështjen e Asociacionit.
Në Raportin për vendin të Komisionit Evropian, Kosovës i kërkohet të fillojë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor shprehet se kjo çështje duhet të zgjidhet, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet mes të dyja vendeve./kosovapress