Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas dyshimeve për manipulim votash në Mitrovicën e Jugut, për të cilat partia e tij ka dorëzuar ankesë në PZAP.
Në në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, ai ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të Prokurorisë Speciale, duke thënë se situata nuk është më çështje teknike, por penale.
“Unë mendoj që ky verifikim nuk ka kuptim. Duhet të ndalet dhe të thirren urgjentisht përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale, sepse ky nuk është më vend i rinumërimit – aty është vend i krimit,” tha Behrami.
Sipas tij, në këtë rast nuk bëhet fjalë për një gabim të thjeshtë apo për veprim individual, por për ndërhyrje të organizuar shtetërore.
“Në atë vend duhet të vendosen shirita për të analizuar krimin më të madh elektoral pas luftës, dhe njëkohësisht krimin më të sofistikuar ndonjëherë. Këtu nuk është dorë e individit apo e ndonjë grupi kriminal, por është dorë e shtetit që ka futur duart për të manipuluar një proces zgjedhor,” deklaroi ai.
Behrami ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën se si ka reaguar ndaj situatës në Mitrovicën e Jugut. Ai e ka quajtur këtë “një inxhiniering politik të mirëplanifikuar”.
“Unë mendoj që kjo është një inxhinieri, sepse ata e kanë pasur menduar edhe një plan të dytë, në rast se shfaqej ndonjë problem, ta dinin si të reagonin,” ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së ka thënë se KQZ-ja ka reaguar “shumë shpejt dhe jo drejt”, duke vënë në dyshim mënyrën se si është trajtuar rasti.
“Një gjë që nuk po e kuptoj është pse KQZ-ja menjëherë thirri kompaninë, me dyshimin se mund të ketë ndonjë gabim teknik. Pse nuk e thirri Prokurorinë Speciale? Si e dinte KQZ-ja që problemi mund të ishte tek kompania që i ka shtypur fletëvotimet?” pyeti Behrami.
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar tashmë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar hetim të plotë për atë që e quan “manipulim të organizuar të votave” në Mitrovicën e Jugut.






