4.4 C
Mitrovice
E mërkurë, 10 Dhjetor, 2025
spot_img

Bedri Hamza premton rritje 50% të pagave për të gjithë shërbyesit publik që paguhen nga buxheti i shtetit

Bedri Hamza ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në fjalimin e tij. Ai ka thënë se shtylla e parë e programit të tij është ajo e zhvillimit ekonomik.

Hamza ka premtuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që sjell zhvillim e mirëqenie për çdo qytetar, për çdo familje.

“Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues e arsimtarë, policë e zjarrfikës, mjekë e ushtarë dhe për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar ta ndryshojë edhe shkallën e tatimit për të ardhurat e qytetarëve.

“Të ardhurat deri në 400 euro, zero tatim. 400 deri në 800 euro vetëm 8%. Mbi 800 euro, 10%. Do ta shfuqizojmë ligjin aktual të tatimit në pronë, që të mos ketë barrë të papërballueshme mbi qytetarët dhe bizneset. TVSH-në nuk do ta paguajnë më në kufi, por pas shitjes, 4 reformë e madhe dhe më se e nevojshme për bizneset. Bizneset e vogla me deri në 10 mijë euro qarkullim, nuk do të paguajnë tatim e ato me qarkullim deri në 30 mijë do të paguajnë tatim vetëm mbi fitimin real. Bizneset e reja do t’i mbështesim me kredi dhe subvencione dhe do të zhvillojmë burime alternative të financimit, duke përfshirë edhe tregun e kapitalit”, ka premtuar Hamza.

Bedri Hamza pati lajme të mira për Kosovën dhe për punëtorët e sektorit privat. Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se do të kujdeset edhe për të punësuarit në sektorin privat, duke e krijuar fondin për të papunët dhe do të themelojë Gjykatën e Punës.

“Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet sidomos lehonave, duke i mbrojtur ato, familjet dhe bizneset, si dhe duke i mbështetur financiarisht. Do t’i legalizojmë ndërtimet pa leje me tarifë simbolike dhe do të zhbllokojmë miliarda euro kapital të bllokuar. Do t’i përfundojmë autostradat dhe do të ndërtojmë lidhje të reja rrugore dhe hekurudhore, ashtu që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve do të jetë më i shpejtë, më i lirë, më i sigurt”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar të ndërtojë edhe kapacitete të reja energjetike që të garantohet furnizim i qëndrueshëm e stabil.

“Kjo është ekonomia që duam: e lirë, e drejtë dhe në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Hamza.

TË FUNDIT

TË FUNDIT