Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pasi Njësia Speciale u dërgua në Skenderaj disa orë pas incidentit të përleshjes fizike mes Sami Lushtakut dhe Hysni Mehanit të LVV, shkruan Mitrovica SOT
Hamza i vlerësoi këto skena si aspak të mira dhe demonstrim force e presioni.
Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Kurti, të ndalë ato që i ka quajtur propagandë dhe urrejtje, duke kërkuar nga votuesit e PDK të ruajnë gjakftohtësinë për datën e zgjedhjeve.
Postimi:
Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.
E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.
Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.
Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.



