12.3 C
Mitrovice
E hënë, 17 Nëntor, 2025
spot_img

Bedri Hamza bëhet kryetar i PDK’së

Ish-kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka marrë besimin e shumicës së delegatëve të kësaj partie për t’u bërë kryetar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

Hamza e mori mbështetjen e shumicës dërrmuese duke mos pasur asnjë kundërkandidat, meqë Enver Hoxhaj njoftoi se nuk do të marrë pjesë në këtë garë.

Në konventën e PDK-së u fol shumë për parapërgatitjet për zgjedhjet e mundshme parlamentare, të cilat mund të mbahen në fund të dhjetorit.

Hamza i falënderoi delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, tha Bedri Hamza, pas votimit të tij si kryetar i ri i PDK-së.

Ai tha se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.

“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, u shpreh Hamza.

Ai falënderoi anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.

“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK.”, përfundoi Hamza.

PDK-ja zgjodhi për kryetar Bedri Hamzën, kryetarin aktual të Mitrovicës, i cili po ashtu do të jetë edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme./gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT