Bashkimi Evropian ka konfirmuar se janë duke kryer një vlerësim rutinë të strukturës së Urës së Ibrit dhe duke bërë një studim të planit urban në hapësirat rreth Urës marrë parasysh kohën që ka kaluar që nga finalizimi i revitalizimit të Urës.
Për këto testime, një zëdhënës i BE-së i ka thënë Gazetës Express se institucionet e Kosovës kanë qenë në dijeni.
“Autoritetet e Kosovës janë informuar siç duhet paraprakisht”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për Express.
Ky vlerësim për strukturën e Urës së Ibrit, thotë ky zëdhënës i BE-së, nuk sinjalizon ndryshimin e status-quos sa i përket Urës së Ibrit, por ka për qëllim të sigurojë që çfarëdo vendimi lidhur me të ardhmen e Urës të jetë i bazuar në të dhëna të sakta.
“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo-në, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna teknike të azhurnuara, të sakta dhe objektive”, ka shtuar tutje për Express ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Lidhur me të ardhmen e Urës së Ibrit nga Brukseli thonë se BE është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj dhe kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës të përmbahen nga çfarëdo vendimi i pakoordinuar, përfshirë edhe synimin për ndërtimin e dy urave të reja ngjitur me Urën kryesore.
“BE-ja po koordinohet ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë në lidhje me të ardhmen e urës. Ndërkohë, ne i nxisim autoritetet e Kosovës të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, përfshirë ndërtimin e urave ngjitur.Të gjitha marrëveshjet e Dialogut Beograd-Prishtinë, përfshirë atë që ka të bëjë me urën, duhet të zbatohen plotësisht”, ka përfunduar ky zëdhënës i BE-së për Gazetën Express./GazetaExpress/