Mbrëmjen e 22 gushtit, Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.
Kjo, në dritën e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime – për të mos e certifikuar Listën Serbe.
Në deklaratë, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim për mos-certifikimin e dy subjekteve politike të komunitetit serb dhe shprehu zhgënjim për qëndrimin e marrë nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.
“Bashkimi Evropian është i zhgënjyer për mos‑certifikimin e 2 partive politike serbe të Kosovës. Ne shprehim keqardhje për qëndrimin e marrë nga Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.” – u tha në reagim.
Blloku e theksoi si pazëvendësueshëm karakterin gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Unionit.
“Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – thuhet tutje./Nacionale