11 C
Mitrovice
E premte, 1 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Banka Botërore: Çmimet e naftës dhe ushqimit do të bien

Çmimet e karburanteve dhe të ushqimit do të shënojnë rënie gjatë dy viteve të ardhshme falë tepricës në prodhimin e naftës, ka thënë Banka Botërore, duke u dhënë shpresë konsumatorëve se trysnia e kostos së jetesës e tri viteve të kaluara mund të fillojë që të lehtësohet.

Në analizën e Bankës Botërore thuhet se trendi i rënies së çmimit të naftës këtë vit, që ka rezultuar nga shtimi i prodhimit, kërkesa në rënie në Kinë dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër pritet të vazhdojë, edhe nëse përkeqësohet konflikti në Lindje të Mesme, raporton gazeta “The Guardian”.

Banka Botërore parashikon që furnizimi global me naftë do ta tejkalojë kërkesën për një mesatare prej 1,2 milion fuçish në ditë, duke shkaktuar ulje të çmimit nga mesatarja prej 80 dollarësh për fuçi nafte të papërpunuar këtë vit, në 73 dollarë për fuçi më 2025 dhe në 72 dollarë për fuçi më 2026.

Banka Botërore tha se efekti i lirimit të naftës do të shkaktojë rënie të çmimit mesatar të mallrave, përfshirë ushqimin dhe metalet, në pikën më të ulët në pesë vjet.

Nga ky vit deri më 2026, çmimet globale të mallrave parashikohet që të shënojnë rënie për gati 10 për qind. Çmimet globale të ushqimit pritet të bien për 9 për qind këtë vit dhe 4 për qind më 2025 para se të stabilizohen, thuhet në analizën më të re të organizatës me bazë në Uashington.

Megjithatë, çmimet e përgjithshme të mallrave do të mbeten për 30 për qind më të larta sesa kur ishin para pesë vjetëve, para krizës me pandeminë e koronavirusit më 2020, paralajmërohet në raportin e Bankës Botërore.

Mbifurnizimi me naftë për më shumë se 1,2 milion fuçish nafte në ditë, i identifikuar në raportin e Bankës Botërore, ka ndodhur vetëm dy herë më parë – në fillim të pandemisë, kur shumë ekonomi ishin mbyllur, dhe gjatë krizës aziatike të vitit 1998, kur një pjesë e madhe e Lindjes së Largët kishte pësuar rënie ekonomike./Nacionale

TË FUNDIT

TË FUNDIT