spot_img
spot_img

Banesa, shtëpi, toka dhe aksione, kjo është pasuria e deklaruar e presidentes Shiroka-Pula

Akademikja dhe ekonomistja e njohur, Justina Shiroka-Pula, është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2026, duke u bërë kështu kryetarja e shtatë e shtetit.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re, përcjell Telegrafi.

Pasuria e presidentes së re: Çfarë ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit?

Sipas deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë të bërë më 29 mars 2024 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) — kur ushtronte detyrën e anëtares së Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë , Shiroka-Pula gëzon një pasuri të konsiderueshme të paluajtshme. Me marrjen e postit të ri si presidente, asaj do t’i duhet të bëjë një deklarim të ri për të përditësuar të dhënat e saj zyrtare.

Pasuritë e paluajtshme
Presidentja e re ka deklaruar disa banesa, shtëpi dhe tokë në pronësi personale, të përbashkët apo të bashkëshortit:

Banesë (69 m²) – Vlera 34,000.00 €, e blerë në vitin 1996.

Banesë (140 m²) – Vlera 111.52 €, e blerë në vitin 2011 (me prejardhje nga trashëgimia/shitja e shtëpisë në Budvë).

Shtëpi (135 m²) – Vlera 130,000.00 €, e blerë me kredi në vitin 2017.

Shtëpi (174 m²) – Vlera 250,000.00 €, në pronësi të përbashkët (fituar në vitin 2019 përmes kompensimit të banesës dhe kursimeve).

Shtëpi (358 m²) – Vlera 100,000.00 €, e trashëguar (1/3 e pronësisë) në vitin 2021.

Erta 300×250
Banesë (120 m²) – Vlera 200,000.00 €, e blerë në vitin 2022.

Tokë (30 ari) – Vlera 120,000.00 €, e blerë me kredi në vitin 2023.

Në emër të bashkëshortit janë deklaruar gjithashtu një banesë prej 82 m² (vlera 37,000.00 €) dhe 1/4 e pronësisë së një shtëpie prej 126 m² (vlera 110,000.00 €), shkruan Telegrafi.

Aksionet dhe paratë e gatshme
Aksionet: Zotëron 52% të aksioneve në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “DLLL”.

Para të gatshme në banka: Në llogaritë e saj rrjedhëse janë deklaruar kursime dhe mjet nga paga e shpërblimet: 668.33 € në Raiffeisen Bank, 2,740.69 € në Bankën për Biznes dhe 2,049.57 € në Procredit Bank.

Të ardhurat dhe detyrimet financiare
Të ardhurat: Përveç pagës neto prej 1,300.00 € përmes Procredit Bank, ajo ka deklaruar të ardhura të tjera dhe pensione (pension bazë kontributdhënës prej 605.00 € dhe pension bazë prej 325.00 €), si dhe të ardhura shtesë nga Banka për Biznes e Raiffeisen Bank. Bashkëshorti merr një pension pleqërie prej 100.00 €.

Kreditë: Ajo ka deklaruar dy kredi financiare: një kredi në Bankën për Biznes për blerjen e shtëpisë me vlerë të mbetur prej 40,000.00 € dhe një kredi në Procredit Bank për blerjen e tokës me vlerë të mbetur prej 114,217.00 €.

Kush është Justina Shiroka-Pula?

Justina Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ushtruar edhe funksione politike dhe institucionale.

Në vitin 2025, ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion, i themeluar në vitin 1975. Në këtë pozitë pasoi akademikun Mehmet Kraja.

Shiroka-Pula ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1984 ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit. Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën

“Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka-Pula ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në SHBA, raporton Telegrafi.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo është angazhuar edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Në politikë, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri më 2011. Nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Me zgjedhjen në postin e presidentes, Shiroka-Pula merr mandatin e kreut të shtetit dhe pason në këtë pozitë Vjosa Osmanin, duke ushtruar funksionin në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT