Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje, faji është i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se asnjë parti politike pos LVV nuk e ka pasur shansin që të zgjedh Presidentin.
Tutje tha se LVV nuk e ka hallin e qytetarëve, por si ta kap shtetin.
“Qeveria nuk e ka në fokus hallin e qytetarëve, por si të kapin shtetin. Nëse shkojmë në zgjedhje dhe gjitha indiakcionet aty po çojnë, faji duhet të dihet dhe të jetë i qartë, është i Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjë parti pas 28 dhjetorit nuk e ka pasur as shansin më të vogël për të zgjedhur presidentin”, ka thënë ajo në T7.
Ajo u pyet nëse do ta votonte Vjosa Osmanin për Presidente.
“Unë nuk kam ndryshuar opinion për Vjosa Osmanin, Vjosa Osmani ka ndryshuar opinion për Albin Kurtin”.
“Zonja Osmani ka dalë kundër partisë së saj, është bërë me Albin Kurtin, ka dalë me listë”, shtoi Bajrami për qëndrimin e Osmanit në vitin 2019.



