Ish-kryetari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka komentuar zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një shkrim autorial, ai ka bërë me dije se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe jo mundësi politike.
“Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është një akt që mund të shtyhet sipas vullnetit politik të subjekteve parlamentare. Ai është një detyrim kushtetues. Neni 66.1 i Kushtetutës përcakton se seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Kjo dispozitë ka një logjikë të qartë kushtetuese: pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes zyrtare të rezultateve, duhet të fillojë pa vonesë procesi i krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja”, ka shkruar ai.
Me tej, ai ka treguar logjiken e kësaj dispozite.
“Në hartimin e kësaj dispozite, qëllimi ka qenë që afati prej tridhjetë ditësh të funksionojë si një kufi kushtetues që garanton kalimin brenda një kohe të arsyeshme nga procesi zgjedhor në funksionalizimin e Kuvendit, e jo si një periudhë të cilën subjektet politike mund ta shfrytëzojnë për ta zvarritur procesin pa kufizim. Kushtetuta është hartuar për të garantuar vazhdimësinë institucionale të shtetit dhe për të parandaluar krijimin e vakumit politik e institucional”, ka shkruar ai, duke shtuar se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik.
“Prandaj, konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie ose e një grupi parlamentar. Është detyrim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta. Vullneti politik është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi, por nuk mund të përdoret si arsye për ta mohuar vetë detyrimin kushtetues”, ka shkruar ai.




