Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka treguar mbi ecurinë e zhvillimeve pas paraqitjes së rasteve të para me COVID-19 tashmë edhe në Mitrovicë të Jugut, shkruan Veriu.Info
Bahtiri ka njoftuar se janë marrë rreth 49 mostra për testim ku pesë persona të tjerë kanë dalë të infektuar.
Ai ka shtuar se të gjitha këto raste të reja janë familjarë të së infektuarës 27 vjeçare, punëtore e ETC.
Poashtu, Bahtiri tha se të infektuarit janë në gjendje stabile dhe janë në vetëizolim dhe se do të testohen sërish.
Postimi i plotë:
Sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuaren të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitive me koronavirusin COVID-19.
Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë. Të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vet-izolim, ku pas 14 ditësh do të testohen prapë.
Duke pasur parasysh se nga nesër komunës veriore të Mitrovicës do t’i heqet masa e karantinës, atëherë i lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19.
Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Të dashur qytetarë, me ndihmën e juaj do t’ia dalim edhe kësaj radhe.
AB