Më herët kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar me ironi pas heqjes nga zona e kuqe të komunës së Mitrovicës, shkruan mitrovicasot.net
“Mitrovica e Jugut është në zonën e kuqe por pas takimit të kryetarit Bahtiri me Ministrin Zemaj janë dakorduar që edhe këtë javë të mbetet e verdhë sepse sipas Bahtirit “e kemi bind që nuk duhet të jemi në zonën e kuqe”. Dmth çështje negociatash dhe bindjesh!”, ka thënë Ahmeti.
E këtë deklaratë nga i pari i Prishtinës nuk e ka pritur aspak mirë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Në reagimin e tij, Bahtiri i drejtohet Ahmetit duke i thënë që të merret me punët e Prishtinës pasi Mitrovica e ka kryetarin e saj.
“E lus kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të merret me punët e komunës së tij, sepse nuk i takon me u merr me komunën e Mitrovicës, pasi që mitrovicasit e kanë kryetarin e tyre që kujdeset për ta. Ai është mirë që të merret me komunën e tij, e cila është ngulfatur nga rastet me të infektuar me COVID-19”, ka thënë Bahtiri.
Kryeqyteti në rrethana normale duhet të jetë shembull për menaxhim të punëve komunale, por si duket kryetari Ahmeti ka tjera prioritete!”, ka thënë tutje Bahtiri.