Fadil Asllani, babai i Fisnik Asllanit, është shprehur tejet i emocionuar në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Turqisë, duke e cilësuar këtë përballje si një moment historik për popullin e Kosovës.
Ai theksoi se një arritje e mundshme do të ishte shpërblim për sakrificat e mëdha ndër vite, ndërsa rikujtoi edhe frymëzimin që djali i tij merr nga legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.
Në një deklaratë për “Dueli Sportiv”, ai u shpreh: “Çka të them për këtë ndeshje. Kurrë në jetën time nuk kam qenë më i emocionuar. Ky popull që ka përjetuar gjithçka e meriton një gëzim, e sonte të kualifikohemi në Kupën e Botës, për ata që sakrifikuan dhe dhanë jetën për këtë shtet. Po pres gol nga djali im, por edhe nëse nuk shënon Fisniku, nuk ka lidhje. Vetëm të fitojmë sonte kundër Turqisë, kjo është gjëja më e rëndësishme.”
Ai shtoi se idolli i Fisnikut është Fadil Vokrri dhe se synon të ndjekë hapat e tij, gjë që e ka reflektuar edhe përmes publikimit të një fotografie gjatë ditës.



