Pasi disa vende të BE-së kanë tërhequr miliona shishe plastike me pije Coca Cola, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka deklaruar se konsumatori ynë duhet të qëndroj i qetë dhe se nuk ka asnjë dyshim për produktet e brendit Cola Cola të cilat gjenden në vendin tonë.
Fillimisht Coca-Cola në Austri nisi tërheqjen e shisheve të mërkurën pasi kompania njoftoi se disa prej tyre mund të përmbajnë fragmente metali.
Mirëpo pijet e kësaj marke që importohen në Kosovë nuk janë të prekura nga ky zhvillim.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi.
“Kosova nuk është e përfshirë në incidentin me prezencën e metaleve në pijen CocaCola”, ka deklaruar Thaçi.
Ai shton se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka pranuar asnjë njoftim-lajmërim nga Sistemi i paralajmërimit të hershem RASFF i BE-së se ka dyshim apo mund të jetë përfshirë vendi ynë në incident.
“Vendi ynë nuk është impaktuar nga prezenca e trupave-huaj hazardeve fizike në produktin Coca Cola”, deklaroi Thaçi.
“Lajmërimi vlen dhe kërkon tërheqje të produktit vetëm nga vendet të cilat janë dhënë në lajmërim, janë disa vende të BE-së, bëhet fjalë për llote prodhimi të shpërndara në këto shtete dhe vetëm për një lloj paketimi”, sqaron Thaçi.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), thotë se konsumatori ynë duhet të qëndroj i qetë nuk ka asnjë dyshim për produktet e këtij brendi të cilat gjenden në vendin tonë./Telegrafi/