Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) ka njoftuar se java në vazhdim do të shënojë valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, raporton Reporteri.net.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ASHNA njofton se temperaturat maksimale në disa zona do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius.
“Pas netëve të freskëta dhe ditëve tipike të ngrohta verore, java në vazhdim do të shënoj valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, e shoqëruar me mot shumë më të ngrohtë se mesatarja dhe me temperatura maksimale që në disa zona në regjion, do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius. Kjo valë e nxehtë dhe relativisht e gjatë, do të intensifikohet në fillim të kësaj jave dhe do të vazhdojë në fundjavën në vijim.
Temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 34°C – 39°C, ndërsa minimalet do të luhaten ndërmjet 18°C – 23°C. Erërat do të jenë kryesisht drejtimesh të ndryshme e me shpejtësi nga 02 – 07 m/s”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se ky mot do të zgjerohet tutje në regjion e më gjerë në fillim të kësaj jave, me bllokimin e lartë që do të forcohet gradualisht nga rajoni i Mesdheut në Evropën Qendrore dhe Lindore drejt mesit të korrikut.