Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka hequr nga agjenda kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të mysafirit special në Këshillin e Europës. Kërkesa e saj ishte në agjendën e takimit të sotëm të këtij Komisioni që u mblodh në Paris.
Në draft-agjendën e rishikuar të Komisionit, kërkesa e Kosovës nuk figuron, ndërsa një zëdhënës i Këshillit të Europës nuk dha më shumë informata mbi këtë çështje përveçse dërgoi agjendën rishikuar.
Më herët, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se kërkesa e Kosovës është hequr nga rendi i ditës tha se për këtë e ka njoftuar shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Bilana Pantiq.
“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Europiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, tha Bërnabiq.
Edhe në agjendën paraprake ishte e paraparë që të ketë vetëm konsultime mbi kërkesën e Kuvendit të Kosovës dhe jo votim.
Prezent në takimin e sotëm janë edhe Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi, anëtarë të delegacionit të Kosovës pranë Këshillit të Europës.
Statusi i mysafirit special mund t’i jepet shteteve europiane që s’janë anëtare të organizatës dhe kërkesa e shtetit për t’u bërë mysafir special i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i parlamentit përkatës, në këtë rast të Kosovës.
Anëtarët e delegacioneve të mysafirëve speciale mund të ulen në Kuvendin e Asamblesë Parlamentare, por s’kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të flasin, por me autorizimin e Kryetarit të Asamblesë.
Po ashtu, ata mund t’i paraqesin kryetarit të komisionit propozime në lidhje me projekt-rendin e ditës të mbledhjeve të komisionit dhe propozime për amendamente në draft tekstet e shqyrtuara në këto mbledhje dhe ata mund të nënshkruajnë mocione për rezoluta dhe rekomandime dhe deklarata me shkrim.
Megjithatë, ato nuk do të merren parasysh për numrin e nënshkrimeve të kërkuara. Anëtarët e delegacioneve të ftuar të posaçëm mund të marrin pjesë në punën e grupeve politike sipas kushteve të vendosura nga grupet./express