Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë është regjistruar në Mitrovicë, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila përfundoi në spital me lëndime trupore.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 8 tetor 2025, rreth orës 00:30, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ku është raportuar përmes linjës urgjente 192 një rast dhune në familje.
Sipas informatave të Sinjalit, H.V.H., rreth 54-vjeçare ka raportuar se bashkëshorti i saj, S.V., rreth 54-vjeçar, pas një mosmarrëveshjeje verbale, e ka sulmuar fizikisht me grushte në trup, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, ndërsa me rastin është marrë Njësia e Hetimeve – sektori i Dhunës në Familje.
Pas trajtimit fillestar të rastit, është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë në familje”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti është nën hetime.



