Një rast i pazakontë mashtrimi është raportuar më 24 qershor 2025 në Mitrovicën e Jugut, ku një person i huaj po qarkullonte nga shtëpia në shtëpi, duke kërkuar para në emër të një organizate joqeveritare që nuk ekziston më.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Alexis Carrillo, rreth 45-vjeçar, me shtetësi argjentinase, i cili po prezantohej si përfaqësues i një OJQ-je të quajtur “Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim”, duke kërkuar lëmoshë dhe donacione nga qytetarët.
Hetimet kanë zbuluar se kjo OJQ nuk është funksionale që nga viti 2024 dhe aktiviteti i të dyshuarit konsiderohet mashtrim me paramendim.
Pas raportimit nga qytetarët, në terren ka dalë njësia policore, e cila e ka ndaluar Carrillon në rrugën “Gani Hajra”, duke e kapur në flagrancë teksa hynte në një tjetër shtëpi.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet janë në zhvillim për të përcaktuar nëse ka ndodhur ndonjë përfitim financiar dhe nëse janë të përfshirë edhe persona të tjerë.