Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë do të ketë para vetës sfidën e situatës me COVID 19, derisa vendi po pret vaksinat.
Tashmë kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e votimit të Qeverisë Kurti 2.
Java e ardhshme do të jetë javë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Të hënën pritet që, pos konstituimit të Kuvendit, të votohet edhe qeveria e re.
Ndërkaq gjatë javës është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin. Deri më tani, disa persona dihet se do të emërohen në krye të dikastereve qeveritare.
Në mesin e emrave që po përmenden se do të marrin pozita në Qeverinë e re janë edhe Haxhi Avdyli nga Lista “GUXO” dhe Arben Vitia i Vetëvendosjes.
Avdyli po diskutohet se mund të emërohet ministër i Shëndetësisë, ndonëse për këtë pozitë është propozuar edhe ish-ministri i këtij dikasteri, Arben Vitia.
Vitia mund të mos propozohet ministër vetëm për faktin se në tetor të këtij viti, ai do të propozohet nga Vetëvendosja për kryetar të Prishtinës.
Gazeta Express ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje se kur do të merren vesh emrat që do të propozohen për ministra.
Nga zyra për medie e këtij subjekti i kanë thënë Express-it se janë në fazën e takimeve me subjekte e sapo të caktohen personat në pozitat përkatëse, do t’i njoftojnë mediat.
“Aktualisht jemi në fazën e takimit të subjekteve parlamentare, sapo të vjen koha e do të caktohen personat në pozicionet përkatëse, do ta njoftojmë publikun dhe mediat”, thonë nga LV-ja.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani pritet që deri të premten t’i përfundojnë takimet me partitë politike. Sot do të takohen me përfaqësuesit e goranëve, ndërsa të premten me kreun e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku./GazetaExpress






