Analisti Shenoll Muharremi ka analizuar matjet e fundit të Omnibusit, në të cilin tregohet se votuesit me pak vite shkollim e përkrahin më shumë Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas matjes së fundit të Omnibus, votuesit me vetëm disa vite shkollë (niveli më i ulët i edukimit që nuk kanë as shkollën fillore të përfunduar) e kanë një përkrahje të lartë prej 54.70% për LVV-në.
“E sa më shumë rritet niveli i edukimit të votuesëve, aq më e vogël është përkrahja për këtë parti. Janë vetëm 23.60% votues me magjistraturë e doktoraturë që e kishin votuar LVV-në sipas matjes”, ka thënë Muharremi.
Sipas tij, tek PDK ka një rast të kundërt.
“Vetëm 3.80% e atyre me disa vite shkollë e përkrahin, ndërsa kjo parti ka përkrahjen më të lartë tek votuesit me magjistraturë dhe doktoraturë 34.70%”, ka vlerësuar ai.
LDK ka një përkrahje prej 18.90% tek votuesit me disa vite shkollë ndërsa tek ata me magjistraturë e doktoraturë ka një nivel të përkrahjes prej 13.90%.
“Tek shtresa e studenteve, LDK ka një përkrahje prej 18.00%, PDK prej 14.00% dhe LVV prej 38.00%. Ata me shkollë fillore e përkrahin LVV-në 40.10%, PDK 20.40% dhe LDK 17.50%”, janë gjetjet e këtyre matjeve.