Deputetja e PDK, Blerta Deliu, shprehu shqetësime lidhur me vonesat në zgjedhjen e presidentit të vendit. Ajo tha se nuk po sheh përpjekje serioze nga kryeministri për zgjedhjen e të parit të vendit.
“Për ta zgjedhur Presidentin, nuk po shoh asnjë përpjekje serioze të kryeministrit Kurti që të bëj diçka në këtë drejtim dhe që vendit t’i jap institucione të reja, ndonëse deklaratat kanë qenë publike, është një amulli totale në kuptimin e qëndrimeve dhe veprimeve të Qeverisë Kurti dhe të Kurtit personalisht”, tha ajo në Klan Kosova.
“Po duket që nuk ka shqetësim dhe nga kjo që po shihet dhe nga zhvillimet e fundit, po duket që vendi po rrëshqet në zgjedhje të reja, për shkak të kokëfortësisë të z.Kurtit për t’u ulur dhe për të siguruar një marrëveshje politike. Ne kemi pasur takime në të kaluarën dhe Partia Demokratike e Kosovës ka bërë përpjekje serioze për të siguruar një marrëveshje, ne nuk kemi dashur të provokojmë zgjedhje të reja. Për ne është shumë e habitshme që Albin Kurti e ka marrë gjithë atë mbështetje të qytetarëve të Kosovës, mbi 51 për qind dhe ajo që po e shohim për ditë dhe po bindemi për ditë është që ai nuk po do të qeverisë”, tha Deliu.



