Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar ndaj letrës së fundit të Petar Petkoviq, drejtuar Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, ku ai i kërkon ndalimin e asaj që e quan “veprime eskaluese të Prishtinës”, duke përfshirë ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një deklaratë për media, Ambasada e Gjermanisë ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të heqë dorë nga veprimet eskaluese, por gjithashtu ka theksuar se thirrjet për de-eskalim duhet të jenë të barabarta për të gjitha palët.
“Ashtu siç e kemi deklaruar vazhdimisht, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga veprimet eskaluese. Megjithatë, thirrjet për de-eskalim duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët,”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka ngritur shqetësime lidhur me dështimin e ndjekjes ligjore të autorëve të sulmit të Banjska, duke përmendur Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili sipas deklaratës, ka pranuar publikisht përgjegjësinë për sulmin, por vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb.
“Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, z. Radoiçiq, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për të nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon,”, thuhet në deklaratën e Ambasadës gjermane.
Për të theksuar rëndësinë e trajtimit të çështjeve të brendshme para se të kritikohen të tjerët, Ambasada ka cituar një proverb gjerman: “Në gjermanisht themi, ‘Erstmal vor der eigenen Haustür kehren’ – së pari pastro para derës tënde. Kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj.”.
Në fund, Ambasada thekson se mosveprimi ndaj dhunuesve është po aq i dëmshëm sa edhe veprimet e pa koordinuara nga Prishtina, duke shtuar se është e rëndësishme që të ketë llogaridhënie dhe zbatim të ligjit për të gjithë.