Zgjedhjet e 9 shkurtit duket se nuk i kënaqën asnjë nga partitë e mëdha në Kosovë. E para që doli në listë, sipas rezultateve preliminare me 99.57% të votave të numëruara është Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila mori 40.87%.
Por, ky rezultat është i dobët për synimin e madh që pati kjo parti kur i hyri garës për të marrë 500 mijë vota përmes të cilave do të ishte në gjendje të formonte e vetme qeverinë për të udhëhequr edhe katër vjet të tjera. Me këtë rezultat, Vetëvendosjes do t’i duhet të nisë t’i shikojë opsionet meqë nëse do të udhëheqë do t’i duhen me doemos koalicionet.
Për këtë domosdoshmëri ka folur edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë në një prononcim për Gazetën Express kur u pyet për një bllokadë të mundshme të krijimit të institucioneve të reja.
“Derisa jemi ende në pritje të rezultateve përfundimtare, duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë se në Kosovë duhet të formohet një qeveri koalicioni”, tha një zëdhënës i ambasadës./gazetaexpress.com