Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të ashpra nga faktori vendor, por edhe ai ndërkombëtar, pas deklaratës së tij për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Një zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se këto deklarata nuk janë në linjë me objektivin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për të bërë përparim në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv”, ka thënë për një zëdhënës i Ambasadës.
I njëjti u ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin e normalizimit përmes dialogut.
Për këtë çështje ka reaguar edhe BE-ja, përmes zëdhënëses për çështjet e jashtme, Annita Hipper, e cila u pyet në një konferencë për media nëse deklaratat e kreut të shtetit serb dhe një veprim i mundshëm për ndryshimin e rrjedhës së lumit do të mund të ndikonin edhe në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Do ta nis me çështjen kryesore që kemi përpara, që janë deklaratat e bëra. Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet e mundshme, nuk e mbështesin objektivin për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha Hipper .klankosova




