Zgjedhjet në Kosovë pritet të mbahen me 14shkurt, derisa partitë kanë nisur zyrtarisht me fushatat e tyre në vend, duke mbledhur simpatizantët e partisë në tubime të mëdha edhe pse kjo tani është e ndaluar të ndodhë për shkak të pandemisë, dhe masat që janë vendosur nga zyrtarët shëndetësor.
Për këto tubime ka shprehur shqetësim edhe Ambasada e Britanisë në Prishtinë, e cila tha se pandemia nuk ka mbaruar dhe fotot që po dalin nga këto tubime janë shqetësuese.
Në faqen e Ambasadës së Britanisë në Kosovë, u publikuan disa fotografi nga këto tubime, të cilat tregonin liderët partiak me tubime të mëdha, pa maska, pa distancë, pavarësisht se shifrat ditëve të fundit të të infektuarve vazhdojnë të mbesin të larta.
‘’Me miqtë dhe familjen tonë përsëri në Mbretërinë e Bashkuar nën bllokim, ne e dimë shumë mirë se kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe ne nuk duam të shohim përsëri të njëjtën gjë për miqtë tanë këtu në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, por disa nga fotografitë që kemi parë të tubimeve të mëdha dhe takimeve pa distancime shoqërore kanë qenë shqetësuese. Ne i nxisim të gjitha partitë dhe mbështetësit e tyre të respektojnë kufizimet e Covid tani që periudha zyrtare e fushatës ka filluar’’, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Në bazë të kufizimeve anti-covid, tubimet janë të ndaluara rreptësisht pasi janë një nga shkaktarët kryesorë të përhapjes së koronavirusit.
Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë shqetësuese, me IKSHPK që u bën apel qytetarëve të mos dalin jashtë shtëpisë përveç për nevoja të domosdoshme, derisa bëjnë thirrje edhe për partitë që të respektojnë masat e nevojshme.





