Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka komentuar marrëveshjen e nënshkruar mes Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, dhe Drejtorit të J6 në Komandën Evropiane të SHBA-së, Gjeneral Major John Phillips, për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim.
Në një postim të bërë në rrjetin social “X”, Ambasada Amerikane ka vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të madh përpara që do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe forcës së dy shteteve.
“Sot, Gjeneral Major John Phillips dhe Toger Gjeneral Bashkim Jashari nënshkruan një marrëveshje kyçe mbrojtëse mes Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës: Memorandumin e Marrëveshjes për Ndërveprimin dhe Sigurinë e Komunikimeve (CISMOA). Kosova bëhet partneri i 33-të global që nënshkruan CISMOA-n, duke përmirësuar komunikimet dhe ndërveprimin e sigurt. Ky është një hap i madh përpara për të bërë të dy kombet tona më të forta dhe më të sigurta. Urime FSK-së!”, thuhet në njoftimin e Ambasadas Amerikane.