spot_img
spot_img

AKR: Faton Peci prishi në mënyrë të njëanshme koalicionin qeverisës në Mitrovicë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Emir Abrashi, ka bërë të ditur se koalicioni qeverisës në Mitrovicë, pjesë e të cilit ishte edhe AKR-ja, është prishur të mërkurën në mënyrë të njëanshme nga kryetari i komunës, Faton Peci.

Sipas Abrashit, vendimi për ndërprerjen e koalicionit ka ardhur pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e iniciuar nga Behgjet Pacolli ndaj Pecit.

Pacolli ka njoftuar të mërkurën se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar padinë e tij dhe e ka detyruar Pecin ta kompensojë për dëmin jomaterial lidhur me deklaratat e bëra ndaj tij në nëntor të vitit 2024.

Abrashi ka thënë se mënyra dhe momenti i ndërprerjes së koalicionit tregojnë se konfliktet personale janë vendosur mbi interesin e qytetarëve të Mitrovicës.

Si pasojë e vendimit, nga detyra është liruar edhe Gani Rrustemi, i cili nga radhët e AKR-së kishte udhëhequr Drejtorinë për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrim Evropian.

Edhe raportime të tjera mediale kanë bërë të ditur se Peci ka ndërprerë bashkëpunimin me AKR-në dhe se Rrustemi është liruar nga pozita e drejtorit komunal.

Abrashi ka theksuar se padia ndaj Pecit ishte iniciuar nga Pacolli në cilësi individuale, ndërsa ka shtuar se ai nuk mban funksione drejtuese apo ekzekutive në AKR që nga gushti i vitit të kaluar.

“Për rrjedhojë, bartja e një kontesti personal gjyqësor në raportet e qeverisjes komunale është e pajustifikueshme dhe në dëm të stabilitetit institucional dhe interesit qytetar”, ka deklaruar Abrashi.

Sipas tij, qeverisja lokale duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia ndaj qytetarëve, puna dhe rezultatet dhe jo nga konfliktet personale.

“Vendimi i sotëm dëshmon që një parim i tillë nuk vlen edhe për ish-partnerët tanë në këtë koalicion”, ka thënë kreu i AKR-së.

Abrashi ka shtuar se AKR-ja e përmbyll pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës në Mitrovicë duke pretenduar se ka lënë pas “punë konkrete dhe rezultate”.

Ai ka bërë të ditur se dega e AKR-së në Mitrovicë do të vazhdojë aktivitetin dhe organizimin politik, me synimin që në të ardhmen të fitojë mbështetjen e qytetarëve për udhëheqjen e komunës.

“AKR në Mitrovicë do të vazhdojë fuqishëm organizimin dhe punën e saj politike, me synimin për ta fituar besimin e qytetarëve dhe për të rimarrë përgjegjësinë për udhëheqjen e komunës”, ka deklaruar Abrashi./Telegrafi.

TË FUNDIT

TË FUNDIT