Nipi i Adem Jasharit që mban edhe emrin e tij ka mbushur 18 vjet.
Ditëlindjen e tij ia ka uruar kushëriri i tij që është edhe kryetar i Skënderajt, Bekim Jashari, duke i postuar edhe disa fotografi të të rinjve të familjes Jashari, njofton Klan Kosova.
Lulzimi, babai i Ademit të ri, që sot është afër të 40-ve, gjatë kohës kur i vranë familjen jetonte në Gjermani.
Bekim Jashari tha se tanimë Ademi ka filluar një rrugë të re, përgatitjen profesionale për t’i shërbyer vendit të tij.
Statusi i plotë:
Sot mbushi 18 vite Ademi jonë i ri, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari.
18 vite jetë në Kosovën tonë të lirë që gjyshi yt Ademi, babushi Hamëza e të rënët tjerë aq shumë e deshën e për të cilën luftuan e ranë për të mos vdekur kurrë.
I rritur e i edukuar në frymën patriotike e të atdhedashurisë Ademi tani fillon një rrugëtim të ri, atë të përgatitjes së tij profesionale për t’i shërbyer vendit.
Urime ditëlindja Adem, vazhdo të na bësh krenar duke ndjekur rrugën e gjyshit tënd, emrin e të cilit e mbanë me krenari.
Uroj që ti dhe bashkëmoshatarët tu të jetësoni amanetin e heronjve tonë, duke punuar në zhvillimin e shtetit tonë të ndërtuar me shumë mund e sakrificë.
Gëzuar ditëlindjen Adem Lulzim Jashari!






