Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për, siç tha ai, keqkuptimin e thellë të parimeve bazë të demokracisë parlamentare.
Në Debat Plus Abdixhiku ka thënë se në praktikën demokratike të Kosovës, barra për formimin e institucioneve i bie partisë fituese të zgjedhjeve, pavarësisht nëse ka shumicën ose jo.
Kjo parti, sipas tij, ka të drejtën kushtetuese dhe përgjegjësinë politike për të iniciuar marrëveshje për ndërtimin e institucioneve të reja.
“Tani në praktikën demokratike të Kosovës, të parit i ka rënë barra më e madhe për formimin e institucioneve, sepse mund të mos ketë shumicë por është fituesi i zgjedhjeve. Dhe si i tillë edhe me rregullin kushtetues i takon të marrë iniciativë të bëjë marrëveshje politike. Por me çka pashë sot, e kuptova se kemi një diskrepancë të madhe dhe të thellë të kuptimit të demokracisë nga kryetari i VV-së. Në pjesën që vazhdon të konsideroj, është gabim i madh për nivelin politik që duhej të kishte, për dijen politike. Naiviteti i madh ta konsiderosh vetën që je pozitë, e të tjerët në opozitë. Sepse pozita dhe opozita krijohen në momentin që krijohet qeveria. dhe përderisa ai beson që është pozita dhe të tjerët opozita, nuk e njeh një rregull bazik dhe demokratik, rezultatin e fundi të zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku në Debat Plus në Dukagjini.