Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka dalë me reagim edhe në Facebook, pasi Kryesia e kësaj partie e nominoi si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
E ka cilësuar këtë si nderin më të madh politik që mund t’i jepet një njeriu, por mbi të gjitha edhe përgjegjësi.
“Kosova po hyn në një moment vendimtar. Pas kohëve të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve, vendi ynë ka nevojë për kthjelltësi, për përvojë, për seriozitet dhe për një vizion të qartë euroatlantik. Ka nevojë për qeveri që punon, jo që improvizon; që bashkon, jo që ndan; që ndërton, jo që shemb. LDK-ja, shtëpia jonë politike e vlerave dhe e stabilitetit, vjen në këto zgjedhje me një ofertë shtetformuese, me programin të plotë zhvillimor, me njerëzit më të përgatitur për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta dërguar drejt një dekade të re zhvillimi”, ka shkruar Abdixhiku.


