Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha nëse nuk respektohet Kushtetuta e vendit, atëherë do të dalin në protestë dhe siç u shpreh ai, do të largohet nga rruga institucionale.
Abdixhiku tha se në momentin që e vlerësojnë se duhet të ndërmarrin një hap të tillë, atëherë sipas tij, do të braktisin institucionet dhe do të dalin në rrugë.
“LDK-ja e ka konsideruar veprimin e vetë politik tash e 25 vite, brenda institucioneve të Kosovës. Ende nuk është ardhur në atë pozitë që të konsiderojë veprimin jashtë institucioneve të Kosovës. Nuk e përjashtojmë si alternativë, nuk kemi ardhur në atë pikë dhe pajtohem me këtë fakt, sepse LDK-ja nuk do të jetë ndryshe prej asaj se çfarë është”.
“Pra, në momentin që ne e vlerësojmë se duhet të dalim në protesta dhe të largohemi prej rrugës institucionale, në atë moment mbledhim organet e partisë, braktisim institucionet, dalim në rrugë. Në qoftë se nuk respektohet Kushtetuta e Kosovës, për çfarëdo arsye, nuk ka kuptim më të veprojmë brenda institucioneve të Kosovës”.
“Institucionet e Kosovës operojnë me një rregull kushtetues, që është një lloj referi dhe në qoftë se nuk ka refer dhe nuk ka rregulla kushtetuese, nuk ka kuptim ne të presim në Parlament, e të ulemi aty, e të themi ‘hajde po vazhdojmë tutje, s’po respektojmë rregullat e parlamentit’”, u shpreh kreu i LDK-së.