Ferizaj u shndërrua sot në epiqendrën e tubimit të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke mbledhur mijëra mbështetës dhe simpatizantë entuziastë të kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e jashtëzakonshme në Ferizaj.
“FERIZAJ! Çfarë tubimi madhështor, çfarë pritje e jashtëzakonshme! Jemi shumë, jemi bashkë, jemi NJË! Në Ferizajin e njerëzve të ndershëm, të bizneseve të suksesshme, e të sipërmarrësve punëtor – u bashkuam rreth vizionit për një Kosovë ku familjet kanë mirëqenie, ku bizneset janë partnerë, dhe ku secili qytetar jeton me krenari!” – ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku prezantoi para simpatizantëve planin ambicioz të LDK-së për të ardhmen, i cili përfshin 5 miliardë euro investime, buxhet prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5%.
Ai premtoi se ekipi i tij do të punojë me përkushtim dhe përgjegjësi për të realizuar zotime, duke respektuar vlerat themelore të LDK-së si toleranca dhe ndershmëria politike.
“Në programin tonë politik, zotohemi për 5 miliardë euro investime, 5 miliardë euro buxhet dhe 5% rritje ekonomike! Dhe sot, në Ferizajin e sukseseve, me ekipin e fitores, dhe me programin e studiuar prej ekspertëve më të mirë që ka vendi, u zotuam se besimin e madh qytetar do ta nderojmë me punë e me përkushtim, me tolerancë e me përgjegjësi politike, vlera këto që përbëjnë vet themelet e LDK-së.
Koha për fjalë boshe ka përfunduar. Tani është koha e punës. Tani është koha e ndryshimit. Tani është momenti ynë!” – tha kreu i LDK-së.