Një nga zonat më të njohura industriale në Kosovë, Trepça po rifiton vëmendjen e publikut, por këtë herë jo vetëm për historinë e saj si minierë.
Përmes iniciativës “Visit Trepça”, qyteti i Mitrovicës po sheh një potencial të ri zhvillimi përmes turizmit kulturor dhe edukativ.
Në një intervistë të realizuar për podcastin DianaStories, Lulzim Hoti, drejtori ekzekutiv i organizatës kulturore 7Arte, rrëfen për gjenezën dhe vizionin pas këtij projekti.
“Ne si organizatë kulturore, normalisht që në kuadër të programeve tona kemi një program që synon enkas mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Kur flasim për këtë, ne e kemi parasysh edhe trashëgiminë shpirtërore edhe atë materiale. Ne e dimë që çdo zonë e Kosovës ka vlerat e veta të trashëgimisë, edhe ne si organizatë, në rrugë e sipër, gjatë hulumtimeve, gjatë punës që e kemi bë në terren, kemi dashtë me i identifiku, me i mbrojt ato objekte që janë për t’u mbrojtur… Pastaj e kemi pa që po e lëmë anash një fushë shumë të rëndësishme identitare të Mitrovicës, e që lidhet shumë drejtpërdrejt me industrinë, me historinë, me impaktin që ka pas në kulturë, e që ka qenë Trepça, që ka qenë historia e Trepçës.
Edhe kjo na ka detyrua që gradualisht me kthye vëmendjen nga një vlerë shumë e rëndësishme, jo veç e Kosovës por edhe e Evropës, ngase Trepça lirisht mund të themi hyn në mesin e minierave të vjetra evropiane, jo vetëm kosovare. Kështu që për ne kjo është një trashëgimi më shumë sesa lokale – është po aq edhe evropiane”, shpjegon Hoti.
Trepça, me një histori mijëravjeçare të shfrytëzimit minerar, sot përmes projektit “Visit Trepça”, po ofron një shteg turistik industrial, që ndërthur historinë me përvojën kulturore dhe edukative.
Çfarë përfshin pakoja turistike?
E pyetur nga intervistuesja Diana Luzha për përmbajtjen e kësaj pakoje, Hoti tregon:
“Vizitorët kanë mundësinë të eksplorojnë muzeun e qytetit, muzeun e mineraleve, kishën saksone, lagjen angleze, fabrikat e vjetra të Trepçës dhe minierën e Trepçës, konkretisht horizontin e dhjetë, që gjendet 800 metra thellësi ku edhe nxirren xehet. Për ata që duan të shkojnë përtej shtegut industrial, përfshihen edhe pika të tjera me rëndësi të qytetit si: Ura e Ibrit, pika turistike natyrore: si bukuritë e Shalës së Bajgorës, Parku i Erës, apo hapësira të tjera historiko-kulturore të Mitrovicës”.
Ky projekt po kontribuon jo vetëm në ruajtjen e kujtesës kolektive, por edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit përmes angazhimit të komunitetit lokal dhe të rinjve në promovimin e kësaj trashëgimie, duke gjeneruar mundësi punësimi për qytetarët lokal, duke ngritur vetëdije mjedisore përmes turizmit të qëndrueshëm e duke zhvilluar ekonominë e qytetit.
Për më shumë mbi këtë rrëfim frymëzues për historinë dhe potencialin turistik të Trepçës, ju ftojmë të ndiqni episodin e plotë në YouTube, në kanalin DianaStories. /Telegrafi/