Derisa urat e reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen përfundimit, një dilemë e re po shtohet.
BE-ja dhe SHBA-ja janë shprehur tashmë se veprime që mund të ngritin tensione në veri, nuk kanë përkrahjen e tyre, ndërsa ka nga ata që mendojnë se urat e reja, mund të kenë fatin e urës kryesore ku është i vendosur KFOR-i dhe të njejtat të mos lëshohen për qarkullim të veturave.
Në një përgjigje për “Zërin”, KFOR-i ka thënë se nuk është i përfshirë në ndërtimin në vazhdim të dy urave, por që po vazhdon të monitorojë situatën dhe mban një “qëndrim fleksibil”, duke paralajmëruar se mund të reagojë shpejt ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në zonë.
“KFOR-i mban një prani të përhershme dhe të dukshme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe zhvillon patrullime të rregullta në zonat përreth. Në këtë kontekst, KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe mban një qëndrim fleksibil në mënyrë që të mund të reagojë shpejt dhe vendosmërisht ndaj çdo zhvillimi të sigurisë në zonë”, thuhet në një përgjijge të KFOR-it për Zeri.info, duke shtuar se këto veprime janë në përputhje me mandatin e OKB-së dhe rezolutën 1244.
Ndërkohë institucionet e Kosovës, kanë paralajmëruar se deri në shtator, ura e re për vetura dhe këmbësorë pritet të lëshohet për qarkullim. /Zëri