17 C
Mitrovice
E martë, 5 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Udhëheqësit e spitalit thonë se dhanë dorëheqje nga presioni, u.d e drejtoreshës emërohet një përkrahëse e Vetëvendosjes

Vetëm dy javë e ka mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Enver Beqiri, i cili pastaj ka dhënë dorëheqje me arsyen se po i bëhet presion nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Elvir Azizi dhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, dhe nuk po i lejojnë të punojë në mënyrë profesionale.

Me të marrë këtë pozitë, ortopedi Beqiri, pati përcaktuar Fatbardh Rexhën në pozitën e UD drejtorit shëndetësor, Merita Habibin në pozitën e UD drejtoreshës së Infermierisë, ndërsa Hajrije Mustafën, UD drejtoreshë e administratës. Bashkë me largimin e Beqirit dorëheqje kanë dhënë edhe tre drejtorët e rinj.

Largimin nga udhëheqja e spitalit, ish-drejtorët kanë thënë se e kanë bërë shkaku i presionit që ka ardhur nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

“Betimi për Drejtësi” nga dita e martë është duke pritur përgjigje nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe sekretari i MSh-së, Naim Bardiqi, për pretendimet e ish-menaxhmentit të Spitalit të Mitrovicës.

Përgjigje nuk kanë kthyer as ShSKUK-ja, as Elvir Azizi dhe as sekretari Bardiqi.

Edhe të premten, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një përgjigje për largimin e udhëheqjes së Spitalit të Mitrovicës, por ata s’janë lajmëruar.

Drejtoreshë u emërua përkrahësja e Vetëvendosjes

Pas dorëheqjes nga pozita e u.d drejtorit ekzekutiv, Enver Beqiri, në këtë pozitë është emëruar, internistja Laura Nushi.

Nushi ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se nuk është e anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje, por se është përkrahëse e kësaj partie.

“Jo. Nuk jam e anëtarsune. Anëtarësi nuk kam. Jo vetëm se jam përkrahëse. Na votë dikujt duhet me ja qit’ është tjetër muhabet është ajo, mirëpo e aktivizune në politikë nuk jam fare hiç. Po tash jam emru si drejtoreshë e spitalit”, e konfirmoi ajo.

Internistja, thotë se kërkesën për të udhëheqë spitalin e mori nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Sipas saj, nëse do të ishte e interesuar për të qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje do të hynte në parti.

“Absolutisht jo, me pas interes unë isha kyç mrena. Drejtori i ShSKUK-së më ka thirrë për hy në këtë pozitë. Sa për informacion, kujdestare kam qenë atë ditë. Kurrë nuk kam pas kontakt (me drejtorin e ShSKUK-së) atë ditë, ditën e parë kur kam shku e kam njoftu”, tregon tutje ajo.

Internistja sqaron se këtë pozitë drejtori i ShSKUK-së ia ka besuar pas vlerësimit të qytetarëve, pasi që ajo thotë se asnjëherë nuk ka pasur konflikt me askënd.

“Në momentin që më ka thirre, ka prit aprovimin tim a po pranoj, jo me më caktu pa dëshirë. Këtë pyetje, se ku jeni bazu ja kam bërë edhe unë, tha jam bazu në vlerësimin e qytetarëve e pacientëve dhe kolegëve që jam tip bashkëpunues, nuk kam pas konflikt asnjëherë me asnjë kolegë, me asnjë pacientë që është primare në shëndetësi do të thotë nuk kam kurrfarë konflikti me askënd. Jam shumë e afërt. Unë po bazona në këto, për tjetër sen nuk e di”, sqaroi tutje ajo.

Ndonëse kanë kaluar shtatë ditë që nga emërimi i Nushit në këtë pozitë, ajo ende nuk ka arritur të emërojë drejtorin mjekësor, të infermierisë dhe të administratës.

Por, për këtë vonesë UD drejtoresha e arsyeton se po tenton të gjejë persona kompetentë në këtë pozitë. Drejtoresha thotë se personat që kanë qenë më parë në këto pozita kanë dalë me duar të papastërta, kanë qenë të ndikuar politikisht dhe kanë punësuar familjarë.

“Jemi në negociata. Unë kam ardhë me atë bindjen dhe me qëllimin që me ndërru sistemin e deritanishëm mënyrën e funksionit të spitali se jam pjesë e këtij spitali qe një kohë. Kështu që po kam shumë problem në përzgjedhjen. Kuadrat që po më afrohen janë të riciklum, që janë provu, që nuk kanë dalë me duar të pastra prej aty. Kanë qenë të ndikun politikisht kanë qenë me nepotizëm kanë qenë anëtarë të një familje, katër – pesë pozicione, të punësun krejt familja me një vend. Gjyqtare nuk jam nuk merrem me atë punë, mirëpo këtu aludojnë me problemet që kemi me i pasë në të ardhëm”, u shpreh ajo.

“Presioni filloi sapo morëm detyrën”

Fatbardh Rexha, i cili ishte përcaktuar në pozitën e drejtorit shëndetësor, gjatë një interviste të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, ka treguar arsyet e dorëheqjes së komplet menaxhmentit të ri.

Ai thotë se drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi ishte i pari që filloi t’iu bëjë presion për shkak se të njëjtët kishin orientim tjetër partiak.

Sipas tij, presionin e vazhdoi sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

“Na ka emëru pastaj ka fillu presioni politik. Gjoja se unë jam me prejardhje nga Drenica dhe kam lidhje familjare me një familje (e cila ka ndërlidhje politike). Për drejtoreshën e administratës gjoja se e njëjta e ka të martuar vajzën me djalin e ish-drejtorit të ShSKUK-së, këto kanë qenë presionet”, filloi të tregojë ai.

Ish-drejtori mjekësor thotë se u.d i drejtori ekzekutiv, Enver Beqiri, u ka thënë drejtorit të ShSKUK-së dhe sekretarit të ministrisë se nuk mund t’i shkarkojë për këtë arsye, por vetëm në rast se të njëjtit nuk janë treguar profesionistë në punën e tyre.

“Për neve kjo ka qenë befasuese. Drejtori Beqiri ju ka thënë nëse keni ndonjë vërejtje ndaj profesionit të tyre, ndaj të kaluarës së tyre nuk i kisha emëru hiç, por për këtë arsye nuk shkarkohen. Ata ekskluzivisht i kanë pasë këto arsye kanë thënë që për diçka profesionale nuk kemi të bëjmë, por për shkak të politikës”, tha tutje Rexha.

“Krejt në fillim presioni ka qenë prej drejtorit të ShSKUK-së, Elvirit, me rekomandim të Naimit, por kur e ka pa që drejtori ekzekutiv nuk po na shkarkon, se këta i kanë kërku drejtorit ekzekutiv me na shkarku, ai nuk ka pranu me na shkarku se ka thënë i kanë vendos në bazë të statutit dhe nuk mundem me i shkarku, mandej e ka marrë situatën në dorë sekretari permanent e ka zhveshë nga kompetencat drejtorin e ShSKUK-së dhe pastaj ka fillu direkt me u marrë me këtë punë derisa e ka thirrë drejtorin ekzekutiv në takim dhe i ka thënë që ti duhet me shku tash, sot me i shkarku te tret dhe me na dërgu listën me emra dhe ne e vlerësojmë a bën me i emëru të tjerët a jo. Drejtori ekzekutiv nuk e ka pranu një gjë të tillë dhe atëherë ka thënë po japim dorëheqje të gjithë”, tregon gjithashtu ish drejtori mjekësor.

Ai tutje sqaron se këtë presion e kanë duruar dy javë radhazi, ndërsa pas dy javësh kanë vendosur të japin dorëheqje.

Rexha tregon se ShSKUK-ja dhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar nga drejtori ekzekutiv që për çdo gjë t’i pyesin ata dhe asnjë vendim të mos merret pa miratimin e tyre.

“Ka thënë (të shkarkohen) konkretisht për shkak të politikës. E kanë thënë dy tri ditë pasi jam emru, pastaj ka vazhdu presioni derisa kemi dhënë dorëheqje. Gati dy javë kam qëndru në atë pozitë duke mendu që po tejkalohet dhe po fillojmë me punu, por ka qenë e pamundur me punu në atë presion. Thojshin për çdo gjë duhet me na vet neve nuk guxoni me vepru kurgjo pa na vet neve dhe ka qenë e pamundur me punu në atë formë”, deklaroi tutje.

Por, për të gjitha këto, ish-drejtori mjekësor thotë se asnjëherë nuk është thirrur për takim apo në telefon nga menaxhmenti i ShSKUK-së apo nga Ministria e Shëndetësisë. Kërkesën për shkarkim, ai thotë se e kanë kërkuar direkt nga UD drejtori ekzekutiv, Enver Beqiri.

“Drejtorit ekzekutiv ia kanë thënë në takim fizikisht, por edhe në telefon. Mua direkt nuk më kanë thënë se s’kemi qenë në takim, por drejtorit ia kanë thënë”, tregoi ai.

“Betimi për Drejtësi” e ka kontaktuar ish u.d drejtorin e spitalit, Enver Beqirin, për të pyetur nëse vërtetë qëndrojnë deklaratat e ish-drejtorit mjekësor, por i njëjti shkurtimisht tha se të gjitha arsyet e dorëheqjes janë në e-mail-in e dërguar në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Arsyen e dorëheqjes time e keni ne zyrën për informim ne SHSKUK”, tha shkurtimisht ai.

Në e-mailin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se drejtorët pretendojnë se janë detyruar të dorëzojnë dorëheqjen për shkak se nuk kanë mundur ta ushtrojnë profesionin e tyre të pavarur.

“Në pamundësi të ushtrimit të funksionit që në kuadër të kompetencave që i kam si drejtor dhe të cilat nuk po mund t’i ushtrojë për shkak të rrethanave të krijuara kërkoj nga ana juaj me mirëkuptim që të më aprovoni dorëheqjen time”, thuhet në e-mail-in e siguruar.

Edhe Hajrije Mustafa, e konfirmon se arsyeja e dorëheqjes ishte pamundësia e ushtrimit të detyrës në mënyrë të pavarur.

“Në pamundësi të ushtrimit të pavarur të detyrës dhe kompetencave të pozitës përkatëse, kam vendosur të dorëhiqem”, tha ajo për “Betimi për Drejtësi”.

Duke mos dhënë detaje më tepër, Merita Hebibi, e cila ishte emëruar në pozitën drejtoreshë e infermierisë, thotë se të gjitha arsyet e dorëheqjes janë të dërguara në institucionin përkatës, pra në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Po, kam dhënë dorëheqje. Arsyen e saktë e keni të dokumentuar dhe protokolluar në institucion”, e konfirmoi ajo.

Për gjithë këtë situatë, të premten ka reaguar Kryesia e Shoqatës Sindikale në Spitalin e Mitrovicës. Përmes këtij reagimi, ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e spitalit.

“Ne si Shoqatë Sindikale jemi të brengosur dhe të shqetësuar me situatën në të cilën ndodhet Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, ku emërimet, shkarkimet dhe dorëheqjet në këtë institucion janë bërë rutinë mujore dhe është i vetmi Spital ku po ndodhin manovrime të tilla”, thuhet mes të tjerash në reagimin e tyre.

Përmes këtij reagimi, është kërkuar nga menaxhmenti i ShSKUK-së dhe MSh-së që të bëhet sa më parë një zgjidhje për gjendjen e spitalit të Mitrovicës.

Më 2 nëntor, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se si drejtoresha e Spitalit “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi kishte punësuar djalin e dajës si depoist në spital dhe gruan e tij si infermiere. Pesë ditë më vonë, Zhubi kishte dhënë dorëheqje.

Më 6 nëntor, ShSKUK-ja ia kishte ndërprerë kontratat e punës familjarit të ish-drejtoreshës, pasi APK gjeti konflikt interesi. Më pas, ishte emëruar Enver Beqiri, u.d i drejtorit të Spitalit./BetimipërDrejtësi

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT