Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademjat, duke thënë se ky është një krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar, shkruan Gazeta Metro.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë.
Ajo tha se në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë.
“Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj. Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale. Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”, ka shkruar Osmani.
Pas vrasjes së rëndë ku mbeti e vdekur Liridona Ademaj-Murseli, janë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e krimit, ndër ta edhe bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, i cili ka pranuar se ka paguar për vrasjen e Liridonës.
Ndryshe, 30-vjeçarja Liridona Ademaj- Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.
Por të premten u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së. /gazetametro.net