Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar mbi djegien e shtëpisë së vjetër të familjes Koroglu në Mitrovicë, shkruan Mitrovica SOT
Kjo shtëpi bën pjesë në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës.
Bahtiri, përmes një postimi në Facebook, tha se shteti është dashur të kujdesej për të pasi ka pasur përpjekje për rrënimin e saj në të kaluarën.
Ai tha se në bazë të situatave paraprake, djegia lë dyshimin se është bërë qëllimisht.
Bahtiri bëri thirrje për kthimin e saj në gjendjen paraprake dhe se ndryshe vendi do të shfrytëzohet për ndërtimin e objekteve banesore./MitrovicaSOT
Postimi:
Mbrëmë është djegur shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë apo siç njihet edhe si shtëpia më e vjetër në qytet, duke qenë së është e ndërtuar para rreth 300 vitesh.
Kjo shtëpi ishte në mbrojtje të Trashëgimisë Kultutore dhe shteti është dashur të përkujdesej për të, pasi që ka pasur tentime të shkatërrohej edhe gjatë muajve të kaluar.
Nga ajo që shihet dhe rrethanat paraprake, djegia e saj lë dyshime të bazuara së është bërë qëllimisht, për çka kërkoj nga organet e hetuesisë që urgjentisht të ndërrmarin veprimet e nevojshme në mënyrë të menjëhershme për zbardhjen e rastit dhe keqbërësit t’i vendosin para organeve të drejtësisë.
I bëj apel MKRS-së që shtëpinë ta rikthejnë në gjendje të mëparshme përmes investimeve adekuate, sepse ndryshe zona përreth do të tentohet të kthehet në zonë ndërtimi të objekteve banesore dhe të dëmtohet në mënyrë të përhershme e të pariparueshme trashëgimia kulturore e Mitrovicës.
AB



