Skuadra e Trepçës e luan të mërkurën ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup. Pasi të mërkurën e kaluar u mposht 84:54 nga ZZ Leideni i Holandës, skuadra mitrovicase tani luan në Francë me skuadrën Graveline Dunkerque. Ndeshja i takon Grupit G të FIBA Europe Cup. Në këtë grup është edhe skuadra nga Izraeli, Hapoel Galil Elion. Por situata rreth kësaj skuadre është plotësisht e paqartë.
Për shkak të situatës në Izrael, Galil Elioni nuk ka luajtur ende ndeshje. Është dashur ta pres Trepçën më 18 tetor në Jerusalem, por ndeshja është shtyrë. Të mërkurën, skuadra izraelite është dashur të luaj me Leidenin. Por FIBA e ka regjistruar ndeshjen me rezultat 20:0 për Leidenin.
“FIBA Europe njofton se ndeshja Hapoel Galil Elion – ZZ Leiden, e planifikuar për të mërkurën, nuk do të zhvillohet dhe vendoset në favor të ZZ Leiden, pasi skuadra vendase nuk respektoi kërkesat e përcaktuara nga autoritetet e Qipros dhe vendimin e FIBA Europe”, ka njoftuar FIBA të hënën.
Është vendosur që të gjitha ndeshjet e skuadrave izraelite në FIBA Europe Cup të zhvillohen në Qipro.
Megjithatë, vendimi i FIBA Evropës po kundërshtohet nga Hapoel Galil Elioni e me gjasë edhe nga skuadrat e tjera izraelite.
Përmes një komunikate të lëshuar të hënën, Galil Elioni ka “sulmuar” FIBA-n për vendimin.
“Gjatë dy javëve të fundit kemi propozuar disa alternative, duke përfshirë që ndeshjet si vendas t’i organizojmë në Bullgari me ndihmën e Ligës Ballkanike. Por FIBA ka refuzuar këto alternativa dhe vazhdimisht u ka dërguar letra ekipeve me afate duke konfirmuar marrëveshjen që ndeshjet të zhvillohen në Qipro. Këto kushte është e pamundur të plotësohen teknikisht, edhe nëse ne duam. Kjo do të sjellë një numër të humbjeve teknike dhe humbje të vlerës sportive të paraqitjes në garë. Duket që kushtet e FIBA-s janë me qëllim që të na shtyjnë jashtë garës. Dhe për fat të keq duket që këto kërkesa kanë qenë të frytshme”, shkruan në një deklaratë të Hapoel Galil Elionit.
Pavarësisht nëse Hapoeli luan apo tërhiqet, Trepçën e pret punë e vështirë për të avancuar nga grupi. Leideni tashmë i ka tri fitore.
Vendi i parë siguron avancimin në rundin e dytë, ndërsa gjasa ka edhe prej pozitës së dytë.
Në FIBA Europe Cup garon edhe Peja, që tashmë ka një fitore e një humbje në grup tjetër.
©KOHA