Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, derisa ka komentuar vizitën diplomatike të “pesëshes së madhe” në Kosovë dhe Serbi të shtunën, ka paralajmëruar “zhvillime shokante” gjatë ditëve në vijim, sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Haziri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka konsideruar se pas vizitës së top-diplomatëve perëndimor në Prishtinë dhe Beograd, kryeministri dhe presidentja e Kosovës – Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – duhet të hartojnë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Gjithashtu, sipas nënkryetarit të LDK-së, kryeministri dhe presidentja duhet t’i organizojnë sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – derisa ka paralajmëruar “zhvillime shokante” për elektoratin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Listës Guxo.
Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë.
E ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, ka konsideruar se pas “stuhisë diplomatike” të së shtunës, kryeministri Kurti do të detyrohet të draftojë statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, derisa ka kujtuar se i njëjti për një dekadë ka kundërshtuar ashpër çdo marrëveshje me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e këtij mekanizmi vetëmenaxhues për serbët./AlbanianPost