Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani, ka thënë se në këto tre vitet e fundit është investuar më shumë se kurrë më parë në shëndetësinë primare të Mitrovicës.
Ai, gjatë një interviste për KosovaPress, ka bërë të ditur se shëndetësia është ndër prioritetet kryesore të qeverisjes aktuale në Mitrovicë dhe kryetarit të saj, Bedri Hamza.
Shabani përmend përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve, si sfidën kryesore, në mënyrë që zhvillimi i shëndetësisë të jetë dinamik dhe me kërkesat e kohës.
“Mund të them me përgjegjësi të plotë se këto tre vite është investuar në shëndetësinë primare… më shumë se çdoherë gjatë historisë së shëndetësisë së Mitrovicës…. Si sfida… në mënyrë që zhvillimi i shëndetësisë primare të jetë dinamik dhe i vazhdueshëm me kërkesat e kohës, mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore… Shërbimi mjekësor shtëpiak ofrohet për persona të moshuar, me aftësi të kufizuara dhe për personat të cilët për ndonjë arsye nuk kanë mundësi të transportohen në QMF-të… Këtë shërbim ne parashikojmë që ta fuqizojmë, t’i rrisim ekipet… në mënyrë që ta mbulojmë më mirë dhe më shpejtë gjithë territorin e Komunës së Mitrovicës”, deklaroi Shabani



