Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, lëshoi një thirrje ndaj autoriteteve të Serbisë të martën pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në hyrje të fshatit Banjskë në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – ku u vra një rreshter policor dhe u plagosën dy të tjerë.
Shefja e diplomacisë gjermane, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën “X”, theksoi se autoritetet në Beograd duhet të bëjnë thirrje për të dënuar dhunën. Ky reagim i kryediplomates gjermane pas vendimit të zyrtarëve serbë për të shpallur ditë zie ditën e martë në nderim të terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës.
“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që dikush e bën për de-eskalim. Serbia në veçanti duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, ka shkruar qartazi Baerbock./albanianpost



