Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, ka konfirmuar se një nga terroristët e plagosur është pranuar në spital.
“Ka ardhë me lëndime me armë zjarri në këmbë. Është udhëzuar për në QKUK për trajtim të mëtejshëm. Ai ka ardh me parametra stabil dhe ashtu është nisur për në Prishtinë”.
Zhubi shtoi se terroristi rreth 46-vjeçar është i “lënduar në pjesën e këmbës dhe në anën tjetër ka një thyerje të hapur”.
Ajo shtoi se i plagosuri “është pjesëtar i forcave paramilitare serbe”, ndër të tjerash, Zhubi shtoi se në spital kanë pranuar një polic të Kosovës i cili ka lëndime të lehta.
Gazeta Sinjali mësoi ekskluzivisht se deri tani kanë mbetur të vrarë 8 terroristë kurse gjashtë të tjerë janë plagosur.
Brenda manastirit vazhdojnë të qëndrojnë 49 anëtarë të grupit kriminal.
Kujtojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, një grup i organizuar dhe i armatosur ka hapur zjarr ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.
/GazetaSinjali/