28.5 C
Mitrovice
E diel, 20 Korrik, 2025
spot_imgspot_img

Kurti i kundërpërgjigjet Amerikës: Ne jemi në të drejtën tonë!

Pavarësisht kritikave agresive që nga marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian pas dështimit të fundit në Bruksel, kryeministri deklaron nga Zvicra se “ne jemi në të drejtën tonë” kur flitet për dialogun ndërmjet dy shteteve fqinje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur mbrëmë në Pallatin Federal në Bern nga presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset.

Pas takimit ai ka mbajtur një konferencë për media, me ç`rast ka folur për përmbajtjen e takimit, dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë”.

“Në këto rrethana, ne duhet t’i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si obligim dhe jo të marrim detyrime të reja”, tha Kurti.

Kurti i ka thënë këto deklarata, pavarësisht kritikave agresive që nga marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian pas dështimit të fundit në dialog.

Deklaratat kundër Kurtit u bënë më të ashpra, pasi doli të hënën në konferencë për media dhe e akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kryeministri tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Menjëherë pas këtyre deklarateve që Kurti i dha nga ndërtesa e qeverisë që e udhëheq – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Bashkimi Evropian kanë dalë me komunikata mbështetëse për Miroslav Lajçakun, duke e vlerësu punën e tij në dialog.

DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, thotë DASH.

Po ashtu DASH shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

DASH e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut.

“SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm”.

Pas këtij reagimi, emisari evropian Lajçak është takuar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak pas takimit tha se është gjithnjë i dobishëm rikonfirmimi se ShBA-ja dhe BE-ja e kanë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT