Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në platformën “X”, ka njoftuar për aterimin e aeroplanit ushtarak amerikan në Serbi, përkatësisht për vizitën delegacionit të Gardës Kombëtare të Ohios dhe gjeneralit John Harris.
Megjithatë, ambasada amerikane ka përdorur një formulim mjaft provokativ, gati identik me mesazhin luftënxitës “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, të cilin, për herë të parë e kanë shfaqur në formë të koreografisë tifozët serbë të klubit futbollistik “Zrvena Zvezda (Ylli i Kuq)” më 26 korrik në Beograd.
“Kur Garda Kombëtare e Ohios kthehet në Serbi – mirëpritja është e ngrohtë, gjithmonë!”, ka shkruar ambasada e SHBA-ve në Beograd të mërkurën, derisa ka shpërndarë disa nga fotografitë e shkrepura të delegacionit amerikan pas zbritjes nga aeroplani ushtarak i Gardës Kombëtare.
Mesazhi i koreografisë që më pas është shfaqur në formë të grafiteve anë e kënd rajonit ku banojnë serbët është pjesë e një kënge turbo-folk të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije, derisa këtë mesazh nuk e kanë dënuar autoritetet në Beograd./AlbanianPost



