Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur bashkëpartiakut të saj, Agim Veliut, i cili i ka kërkuar sqarime për takimin e rastësishëm me Albin Kurtin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Osmani thotë se një deklaratë e tillë është qëllimkeqe dhe e bazuar në gjëra të pavërteta. “Deklaratë qëllimkeqe e tendencioze e bazuar në të pavërteta. E vërteta është ajo që e kam thënë unë e bazuar edhe në video e dëshmi. Komplikuesit e vërtetë tashmë dihen”, ka thënë Osmani për Gazeta Blic.
Tutje Vjosa Osmani ka thënë se Agim Veliu duhet të harrojë që mund të marrë sqarime, pasi siç thotë Osmani raporti i saj është me votuesit.
“Për më tepër z.Veliu le të harrojë që atij i jap sqarime. Raporti im është me votuesit, të cilët presin nga ne të jetësojmë vullnetin qytetar të 6 tetorit për ndryshim”, ka shtuar Osmani.
Në fund njeriu më i votuar i LDK-së ka thënë se po bëhet çmos për të arritur një marrëveshje me LVV-në, duke shtuar se Agim Veliu bënë mirë të mësohet me fotografi të përbashkëta.
“Nëse në arrijmë një marrëveshje me VV-në, dhe po bëjmë çmos që kjo të bëhet, atëherë z Veliu bënë mirë të mësohet me fotografi të tilla. Ne nuk jemi armiq me z Kurti, por potencialisht partnerë koalicioni”, ka përfunduar Vjosa Osmani.