Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi qe një muaj ndodhet brenda objektit të komunës. Qëndrimi i tij brenda është kritikuar e madje edhe i kanë kërkuar largimin, përveç shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti, i cili e ka falënderuar për “qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, raporton Gazeta Sinjali.
Javën e kaluar, atij i është kërkuar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që të ndjek shembullin e kryetarëve të tjerë dhe të punojë nga objekte alternativ.
Lajçak tha se kryetarët merren vetëm me disa çështje administrative por jo edhe politike, meqë sipas tij s’kanë marrë mandat nga serbët për një gjë të tillë.
“De-përshkallëzimi do të thotë që kryetarët e komunave të tërhiqen nga ndërtesat ku ndodhen aktualisht, para së gjithash në Leposaviq. Dhe të punojnë nga disa ambiente të tjera, siç bëjnë tashmë dy kryetarët tjerë. Do të thotë se merren me disa çështje administrative, por jo politike. Për këtë ata nuk kanë marrë mandat nga votuesit e komunitetit serb”, ka thënë Lajçak.
Në anën tjetër, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se këta kryetarë po rrinë në komunë si Oso Kuka, teksa tha se kanë ardhur në pushtet me vetëm 1% të votave.
“Çdo të thotë kjo që të mbajmë akoma disa kryetarë komunash të cilët janë zgjedhur me 1% të votave, që rrinë të mbyllur si Oso Kuka. Njëri rri atje me policë dhe është i burgosur faktikisht, sepse s del dot as të marr ajër. E të tjerët rrinë diku ku s’dihet ku janë dhe në ndërkohë që në tavolinë është plani franko-gjerman”, tha Rama.
Kurti dy herë ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin Hetemi.
“Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998).E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, ka thënë ai.
Kurse herën e dytë, Kurti tha se ai dhe Hetemi kanë ndarë të njëjtin shqetësim, se mos njëri prej tyre po lëshonte pe.
“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë se faktori ndërkombëtar ka kërkuar zgjedhje të reja në veri të vendit.
BE tashmë po zbaton një seri masash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për shkak të hezitimit të këtij të fundit që të përfillë kërkesat evropiane ku përshihen: largimi i njësive speciale të policisë nga objektet komunale, largimi i kryetarëve të komunave dhe që ata të kryejnë punën nga lokacione alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.
/GazetaSinjali/