Klubi i basketbollit Trepça e konfirmoi ndarjen me trajnerin e deritashëm, Engin Gençoglu përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Xehetarët” thanë se u ndanë me marrëveshje të dyanshme me trajnerin turk, me mitrovicasit që kanë njoftuar përmes faqes së tyre zyrtare në Facebook se ekipin deri në fund të “play-offit” do ta drejtojë trajneri Ilir Selmani, i cili deri tash ishte pjesë e shtabit teknik.
‘Minatorët’ do të përballen nesër me skuadrën e Pejës në ndeshjen e tretë finale, atje ku duket se motivi dhe atmosfera e mirë nuk mungon, pavarësisht zhvillimeve të fundit.Presidenti i Trepçës, Vullnet Sefaja tha për ‘GazetaBlic Sport’ se basketbollistët janë të motivuar për ndeshjen ndaj Pejës dhe se askush nuk mund të jetë mbi klubin.
“Ne do të vazhdojmë garën deri në fund. Ekipi dhe lojtarët janë të motivuar. Normalisht ky është klubi basketbollistik Trepça dhe për mbi të nuk qëndron askush, madje as unë si kryetar. Këtë gjë e din secili që punon aty, motivimi është ashtu siç ka qenë dje”, tha fillimisht Sefaja. Më pas, ai pati një falënderim të veçantë për ‘Torcidën’, duke premtuar se do të luftojnë për gjithçka deri në fund.
“Torcida dhe gjithë qytetarët e Mitrovicës asnjëherë nuk e kanë lënë klubin që të ndjehet vet. Edhe ne kur kemi qenë të dënuar me palestrën tonë, ata na kanë mbështetur në çdo vend ku kemi luajtur. Unë nuk kam çfarë të them më shumë, përveç se premtoj se do të luftojmë për gjithçka”, përfundoi Sefaja./GazetaBlic Sport/