Nënkryetari i KB Trepçës, Lindrit Misini ka insistuar se ekipi nga Mitrovica do ta fitojë titullin e kampionit me Ilir Selmanin.
Selmani të mërkurën ka zëvendësuar trajnerin nga Turqia, Engin Gençoglu, largimi i të cilit u konfirmua edhe nga klubi.
Gençoglu pasi u kontaktua nga KOHA pas largimit të tij, kërkoi që të gjitha pyetjet t’i adresohen nënkryetarit Misini. Trajneri nga Turqia ka insistuar se të gjitha pyetjet për largimin e tij të papritur t’i bëhen Misinit, i cili sipas tij ka përgjigjet. E nënkryetari Misini, në një prononcim të shkurtër për KOHËN, nuk ka komentuar largimin e turkut, por ka folur për madhështinë e Trepçës dhe kurorëzimin e saj me titullin e kampionit.
“Trepça është mbi të gjithë. Trepça është emër i madh. KB Trepça është klub, i cili askush nuk është mbi të. Ne jemi kampionë me Ilir Selmanin. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë”, ka thënë shkurt Misini.
Trepça të enjten mbrëma e pret Pejën në Mitrovicë për ndeshjen e tretë të serisë finale. Aktualisht, rezultati është 1:1 pas dy ndeshjeve të luajtura. /koha.net